Petar Mlladenovski, muzikant: Bëhuni të lirë, mos lejoni t’ua shkatërrojnë jetën!

Petar Mladenovski është frontmeni i “Superhiks”, një nga grupet më të mirënjohura të Maqedonisë në dy dekadat e fundit, jo vetëm në vend por edhe në rajon, të njohur për tekstet e tyre të angazhuara me përmbajtje sociale, që i shprehin gjendjet në shoqëri.

Vete Pece, por edhe grupi i tij, shpesh kanë qenë pjesë e iniciativave humanitare, si dhe atyre shoqërore për promovimin e lirisë, multikulturalizmit dhe marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Si çdo herë, haptazi dhe pa qime në gjuhë, Pece “Superhiks”, i cili do të jetë pjesë e koncerteve dhe debateve të Karvanit të Lirisë në Tetovë dhe Kumanovë, për CIVIL Media zbulon mendimet e tij për lirinë në kontekst artistik, si dhe në kontekst më të gjerë shoqëror.

CIVIL Media: Çfarë është për ty liria?

Mladenovski: Ekzistojnë definicione të ndryshme për atë se çfarë do të thotë liria. Filozofia  merret me lirinë, politologët merren me liri, mirëpo në ambientin në të cilin jetojmë për momentin, lira për mua është – të shkosh për kafe me miq ose për birrë të themi…të mundesh lirisht të diskutosh, të bisedosh, hapur, zëshëm të kritikosh për tema të cilat realisht të mundojnë dhe të mundojnë në një shtet. E, këtë për momentin nuk mund ta gjesh në vendin tonë, mendoj, nuk e kemi…Kjo është zgjedhje e çdo individi, mënyra e sjelljes së tij në kornizat e një sistemi dhe shteti. Por, për mua kjo është liri, të flasësh publikisht dhe zëshëm për ato që të mundojnë në këtë shtet, cili politikan dhe për çfarë të ka bërë mëkat, si kjo të përmirësohet dhe të drejtohet, dhe, nëse atë dikush e bën në mënyrë jo të drejtë, të largohet nga pozita të cilën ia kanë dhënë. Liria për mua është shprehja e lirë e mendimeve dhe ndjenjave të mia.

CIVIL Media: Sa duhet të sakrifikojnë muzikantët dhe artistët për lirinë?

Mlladenovski: Nuk e di se sa janë të përgatitur artistët këtu te ne të sakrifikojnë për lirinë e tyre…jo lirinë e tyre, por llogarinë e tyre financiare për llogari të lirisë, të cilën duhet ta mirëmbajnë në kuptim të krijimtarisë dhe në përgjithësi lirinë e të jetuarit. Për këtë arsye mendoj se në Maqedoni shumë lehtë blihen artistët e vendit dhe krijimtaria e tyre, mendoj, me pak mijë euro ose dollarë…Mendoj se është shumë lehtë të blesh një artist, muzikant ose poet ose krijues me pak bankënota të gjelbra dhe pastaj ta vendosësh në funksion të asaj që ty të konvenon, tani flas si politikan, a po jo… Për arsye se mendoj që politikanët janë ata që punojnë mbi atë agjendë, ta “blejnë” artin në Maqedoni. Mendoj se kemi pak artistë të angazhuar, e këta janë ata që para së gjithash duhet ta ngrenë zërin e tyre në atë drejtim dhe të jenë më të zëshëm. Këta janë rok&roll artistët dhe grupet, të cilët janë me qëllim të hequr në margjinat, së paku unë kam këtë përshtypje, se nuk financohen dhe nuk promovohen rok&roll artistët dhe grupet, e ata janë realisht më të zëshmit dhe më kritikuesit, dhe e kanë atë britmën më të zëshme ndaj pushtetit dhe aparatit shtetëror dhe ndaj çdo gjëje që është negative në atë kontekst, por dhe ata numërohen në gishta. Dhe kjo ndodh për arsye se ata nuk blihen ose nuk korruptohen lehtë…

 

CIVIL Media: Cili është mesazhi yt për Karvanin e Lirisë?

Mladenovski: Kështu, porosia ime është shumë e thjeshtë. Ajo është porosia të cilën unë me bendin tim “Superhiks” dhe në mënyrë individuale e përcjell këto 25 vite. Njerëz, mos keni frikë, para të gjithash, të jeni të lirë, lirisht shprehni mendimet tuaja, qëndrimet , mos lejoni që të tjerët të krijojnë planet tuaja, t’u japin me dije dhe t’ju bindin se kjo është mënyra e drejtë për të jetuar. Jetën duhet vetë ta jetoni të lirë, ashtu si mendoni vetë, bëhuni kritikë, të lirë dhe kënaquni duke jetuar, mos lejoni që tjerët t’ua shkatërrojnë jetën!