Elena Prenxhova, poeteshë: Të zgjedhim të jemi të lirë!

Elena Prenxhova është poeteshë, e cila përveç aftësisë mbresëlënëse për poezi dhe interpretimit me ngarkim emotiv, është edhe dashuruese e madhe e lirisë. Për vete thotë se është poeteshë urbane, e cila kënaqësitë dhe pakënaqësitë nga qyteti në të cilin jeton, i shndërron në poezi. Ka lindur në vitin 1985. Ka fituar shumë çmime, si “Avangarda letrare e Maqedonisë”, poeti më i mirë në takimet ndërkombëtare në Brçko të Bosnjes dhe Hercegovinës – “Takimet e para rajonale të poezisë”, fituese e çmimit të parë dhe special të Netëve të Mellnikut në Bullgari në vitin 2007 dhe 2001, si dhe çmimin “Agimet e bardha” që e ndan Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.

Prenxhova mori pjesë në evenimentet e Karvanit të Lirisë në Strugë dhe në Kumanovë. Pikërisht për shkak të angazhimit të saj shoqëror, por edhe refuzimit që të jetë rob e shprehjes tradicionale poetike në vargjet e saja, me të biseduam për artin dhe lirinë.

CIVIL Media: Sa duhet artisti të sakrifikojë për lirinë?

Elena Prenxhova: Mendoj se duhet të sakrifikojë diçka. Mendoj se duhet ta jetojë lirinë. Nëse vetë artistet dhe artistët vetëcensurohen, atëherë vetë e këpusin lirinë e tyre. Ne ia japim vetes dhe e jetojmë. Kështu që, arti në vetvete është liri, pa kufij dhe pa censurë. Thjeshtë, e jetojmë njësoj siç e jetojmë jetën.

CIVIL Media: A mendon se artistët në Maqedoni kanë përgjegjësi dhe aktivitet shoqëror?

Elena Prenxhova: Në mënyrë utopike dhe ideale, dua të mendoj se çdo individ ka përgjegjësi dhe aktivitet shoqëror. Ose, së paku, duhet të ketë aktivitet dhe përgjegjësi. Me siguri se pjesa më e madhe e këtij aktiviteti dhe përgjegjësie shoqërore mbetet mbi personat publikë dhe artistët, si pjesë e tyre. Megjithatë, mendoj se një dozë më e madhe e përgjegjësisë shoqërore është e drejtë e zgjedhjes. Çdo artiste dhe artist – duhet të zgjedhin vetë nëse duhet të jenë dhe nëse dëshirojnë të jenë më të pranishëm në këtë përgjegjësi shoqërore dhe nëse dëshirojnë të jenë, më pak ose më shumë, aktiviste dhe aktivistë. Por, duhet edhe të kenë në mendje, se edhe nëse nuk e zgjedhin këtë rrugë, me çdo vepër të tyre të shpallur, nga cilido art – se ata kanë përgjegjësi shoqërore. Pikërisht për këtë arsye, nëse ata vetë nuk i përcaktojnë kufijtë dhe censurimin, askush nuk mund t’ua marrë lirinë.

CIVIL Media: Cila është porosia yte për Karvanin e Lirisë?

Elena Prenxhova: Të zgjedhim të jemi të lirë dhe të kemi ukses në dhënien e lirisë tjerëve, në kuptim, t’i vetëdijësojmë se liria gjendet në ne.