Kristina Arnaudova, muziciente: Çdokush ka të drejtë të ketë qëndrim!

Kristina Arnaudova është pop-këngëtare dhe autore, e cila është e pranishme në skenat e koncerteve dhe festivaleve të mëdha për pothuajse dy dekada. Veten e përshkruan si perfeksioniste, punëtore e disiplinuar, dhe njeri me parime nga të cilat rrallë heq dorë. Ajo është artiste, e cila është e vetëdijshme për rolin e saj në shoqëri si person publik dhe pikërisht nga këto arsye insiston që qëndrimet e saja t’i shprehë publikisht, e në veçanti duke i theksuar gjërat me të cilat nuk pajtohet.
Me rastin e interpretimit të saj në Karvanin e Lirisë, në koncertin përfundimtar në Shkup, më 1 tetor, me të biseduam për artin, lirinë dhe ndikimin e artistëve në shoqëri.


CIVIL Media: Çfarë do të thotë për ty liria?
Kristina Arnaudova: Liria është një nocion, të cilin çdokush e definon dhe e pranon në mënyrë të ndryshme. Për mua liria, fillimisht, është që çdokush të ketë të drejtën e krijimit të së vërtetës dhe qëndrimeve personale, pa ndikime të jashtme, pa indoktrinim mediatik, pa imponim të së vërtetës së huaj, të jetosh në botë në të cilën mund të mendosh lirshëm, të krijosh idetë tua, me sy të hapura të shikosh para vetes.

CIVIL Media: Sa duhet artisti të sakrifikojë për lirinë?
Kristina Arnaudova: Gjëja e parë e nevojshme për funksionimin e një artisti, nëse flasim për artin në përgjithësi, është të ketë lirinë, para së gjithash, lirinë e mendimit. Që të krijohet diçka, mendja duhet të jetë e lirë, si dhe çdo gjë përreth. Mendoj se gjëja themelore për artistin është liria. Ndërsa, se sa artisti duhet të sakrifikojë për lirinë, është çështje individuale. Unë nuk mendoj se arti është sakrificë.

CIVIL Media: A mendon se artistët tanë janë aktiv dhe kanë përgjegjësi shoqërore?
Kristina Arnaudova: Mendoj se jetojmë në një shoqëri të pavetëdijësuar, veçanërisht nga aspekti i përgjegjësisë shoqërore. Mendoj se  personat publik fare nuk ndjejnë nevojën të kenë përgjegjësi shoqërore. Për fat të keq, jetojmë në kushte të tilla, ku kjo na u imponua si mënyrë e jetesës. Sinqerisht, shpresoj se kjo do të ndryshojë dhe se njerëzit do të marrin guximin të marrin përgjegjësi. Ne nuk jemi këtu vetëm kur duhet të këndohet para publikut, të paraqiten pikturat tona ose të lexohen librat tona. Këtu jemi edhe kur duhet të jemi shembull për ata që na mbështesin.

CIVIL Media: Cila është porosia juaj për Karvanin  e Lirisë?
Kristina Arnaudova: Mendoj se Karvani i Lirisë tenton të përcjellë pikërisht këtë mesazh. Se liria është qeliza bazë, sipas të cilës të gjithë ne, në veçanti artistët, funksionojmë. Tentojmë që njerëzve t’u përcjellim atë se çdokush ka të drejtën për të vërtetën personale, të drejtën për qëndrim dhe se, posaçërisht në këtë situatë, duhet të mendojmë me kokat tona.