Idriz Ameti,”Blla Blla Blla…”: Liria është ndjenjë!

“Blla Blla Blla…” është rok bend nga Shkupi. Të formuar në vitin 1988, pas pothuajse tre dekadave vazhdojnë të veprojnë në rok skenën, duke realizuar deri tani më shumë albume dhe koncerte, si dhe interpretime në dhjetëra festivale në vend dhe jashtë vendit. Te publiku në rajon mbajnë statusin e kult – grupit, i cili nuk flirton me popullaritetin dhe nuk bën kompromis në artin e tyre. Shpesh, me performancat e tyre kanë demonstruar angazhim shoqëror. Herën e fundit kjo ndodhi me koncertin e tyre vitin e kaluar, në të cilin mblodhën mjete për refugjatët nga Siria, ndërsa kanë marrë pjesë edhe në shumë iniciativa qytetare, projekte dhe koncerte dedikuar paqes dhe bashkëjetesës, si dhe për të drejtat të personave me nevoja të posaçme.

Para koncerteve të tyre në Karvanin e Lirisë në Kumanovë me 2 shtator dhe në Shtip me 16 shtator, me Idriz Ametin, liderin e grupit, flasim për qëndrimet e tija për artin dhe lirinë.

CIVIL Media: Çfarë do të thotë për ju liria?

Idriz Ameti: Për mua, liria është ndjenjë. Pikërisht kur vija këndej, në makinë kisha lëshuar Kaetano Veloso dhe ndjehesha ashtu i lirë. Ndjehesha aq shumë mirë, e hapa dritaren, shihja njerëzit në lëvizje, ditën e bukur me diell. Do të thotë, kjo është ndjenjë. Nëse ndjehesh i lirë, atëherë je i lirë. Nëse nuk ndjehesh ashtu, atëherë kot! Në shtetin tonë, në realitet, do të kisha thënë, kjo liri nuk ndjehet shumë. Ajo liri disi është me shumë ligje, me shumë censurë. Unë them se ajo liri nuk ekziston. Si që nuk ekziston e vërteta. Të arrihet deri te ajo liri, mendoj se është një mision pothuajse i pamundshëm, dhe për këtë arsye duhet të ndjehemi të lirë. E që të ndjehemi të lirë, duhet të dëgjojmë muzikë të mirë, të lexojmë libra të mirë, të shohim filma të mirë dhe me siguri, të arsimohemi.

CIVIL Media: Sa artisti duhet të sakrifikohet për lirinë?

Idriz Ameti: Unë nuk sakrifikoj shumë, Prej kur di për veten, luaj në bend, mblidhemi, e bëjmë atë që duam. Kur duhet ta tregojmë atë që e bëjmë, ndonjëherë hasim në gjëra, të cilat për ne janë të çuditshme. Me siguri gjërat këtu funksionojnë në këtë mënyrë. Dalim jashtë shohim se atë që e bëjmë, është e barabartë me ilegalitet. Por, nuk sakrifikohemi. Nuk sakrifikohemi, sepse atë që e bëjmë për ne, e bëjmë sepse na bën të ndjehemi mirë. Mirë jemi!

CIVIL Media: Vallë mendoni se artistët në Maqedoni janë aktiv në ndryshimet në shoqëri?

Idriz Ameti: Mendoj se jo. Kisha filluar prej vetes, për këto pothuajse tridhjetë vite që kur ekzistojmë, kemi bërë vetëm një koncert humanitar. Ajo ishte “Refugee Welcome” në dhjetor. Kishim dëshirë këtë ta bëjmë me më shumë bende dhe të kyçen edhe disa institucione. Kjo ishte pothuajse e pamundshme, por ne kishim shumë dëshirë ta bëjmë dhe e realizuam vetë. Nuk kemi më shumë fuqi që të bëjmë diçka vetë. Është rëndë të kyçen njerëz tjerë dhe institucione, ndërsa ne do të ishim të gatshëm për çfarë do që të bëhet. Sa u përket teksteve dhe koncerteve që i bëjmë, janë pak të angazhuara. Tani, në albumin e ri jemi pak edhe politikisht të angazhuar. Mirëpo, nuk është kjo ajo, që do të duhet të jetë, në këtë vend i cili synon të mbijë dhe rritet.

CIVIL Media: Cila është porosia juaj për Karvanin e Lirisë?

Idriz Ameti: Le të vijnë njerëzit e të dëgjojnë muzikë të mirë. Me siguri do t’u hapen disa “çakra”, derisa të na dëgjojnë dhe derisa i dëgjojnë bendet gjatë asaj nate, dhe do t’u kujtohet se duhet bërë diçka mirë në këtë shtet. Të bëjnë mirë së pari për vete, e mandej për të tjerët. Të dëgjojnë muzikë të mirë dhe të zbaviten.